Ministri i Punëve të Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, në fjalimin e mbajtur në samit, ka akuzuar shtetet perëndimore dhe Aleancën Veri-atlantike për, siç është shprehur, “shkatërrimin e OSBE-së”, e cila, sipas tij, ndodhet në “gjendje të keqe dhe perspektiva të paqarta”.
“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal të pamaskuar kundër Jugosllavisë – një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe, në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu hoq Kosova pa asnjë referendum”, ka deklaruar Lavrov.
“Ka qenë në traditën tonë që të kemi fjalime pozitive, por kjo nuk po ndodh sepse OSBE-ja është bërë vegël e Bashkimit Evropian”, ka thënë Lavrov.
Sipas shefit të diplomacisë ruse, “OSBE-ja ka heshtur, kur qytetarëve u është mohuar e drejta e përdorimit të rusishtes” edhe pse, sipas tij, “aktet ndërkombëtare garantonin përdorimin e gjuhëve për të gjitha minoritetet”.
Lavrov ka thënë se në Ukrainë është mohuar ekzistenca e komunitetit rus.
Ministri i Jashtëm rus i quajti “përpjekje të turpshme angazhimet për të pranuar Ukrainën – e kryesuar nga një regjim neo-nazist – në BE, pa radhë”.
Ai ka folur edhe për sanksionet që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
“Në një përpjekje për të shkatërruar ekonominë ruse, SHBA-ja dhe satelitët e saj evropianë kanë vendosur mijëra sanksione ndaj Rusisë, duke i dhënë fund bashkëpunimit të gjerë praktik midis Lindjes dhe Perëndimit në rajonin tonë dikur të përbashkët”, është shprehur ai.
Sipas Lavrovit, Moldavia është viktima e radhës në luftën hibride të Perëndimit kundër Rusisë.
Disa nga ministrat e vendeve pjesëmarrës në samitin e OSBE-së në Shkup bojkotuan fjalimin e ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.
Ata u ngritën dhe u larguan nga salla menjëherë pasi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, paralajmëroi fjalimin e shefit të diplomacisë ruse.
Ndryshe, Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.Ndryshe, Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.
Pjesëmarrja e diplomatit rus në samitin e OSBE-së paraprakisht ishte mundësuar nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës./REL/