Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për tentimvrasje në Pejë.
Rasti i tentimvrasjes ka ndodhur më 30 janar 2023 rreth orës 18:25, ku Policia është informuar se në fshatin Leskoc- Klinё, ka ndodhur një incident me armë zjarri.
“Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje. Aty kanë takuar viktimën i cili ka deklaruar se i dyshuari i kishte shkuar tek shtëpia e viktimës dhe ia kishte kërkuar një borxh prej 1,000 euro, të cilat ia kishte djali i viktimës pas blerjes se një automjeti nga i dyshuari. Viktima ka deklaruar se nuk ka para për t’ia paguar borxhin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Pas këtij deklarimi, i dyshuari e kishte kanos viktimën me fjalët ‘Nga 1 shkurti mbyllu në shtëpi se do të vras ty ose djalin, në atë moment i dyshuari e ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës nga largësia prej 40-50 metra”, thuhet në njoftim.
Në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK47, 13 gёzhoja kal.7.62 mm dhe pesë fishek 6.35 mm.
I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.