Tomas Szunyog, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një postimi në Twitter ka përgëzuar Kosovën për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare që janë derivat i Procesit të Berlinit.
“Urime Kosovës që ratifikoi ndër të parat tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit me një mbështetje të madhe në Kuvend” ka shkruar Szunyog në Twitter.
Szunyog ka thënë se këto tre marrëveshje ndërkombëtare do të mundësojnë lëvizjen e lirë me letërnjoftime dhe njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale brenda Ballkanit Perëndimor.
“Ratifikimi i sotëm është një hap i rëndësishëm për Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Është një shenjë e qartë e përkushtimit të Kosovës për të ecur përpara në rrugën e saj të integrimit evropian”, ka shtuar Szunyog.
Ndryshe sot Kuvendi i Kosovës miratoi ratifikimin e Marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.