Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Valon Syla, raporton Express.
Ai e ka dënuar sulmin ndaj Sylës, derisa ka shtuar se kryesit e këtij akti do të sillen shumë shpejt para drejtësisë.
“Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë.
Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme”, ka shkruar Sveçla.
Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.
Syla paraprakisht ishte në emisionin Pressing në T7, ku është analist. Temë diskutimi ishte debati që ka shkaktuar nisja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale Hagë..
Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Europë.