Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, po qëndron në vizitë zyrtare në Kroaci, me ç’rast u takua me Komisionin për Politikë të Brendshme dhe Siguri Kombëtare të kryesuar nga Siniša Hajdaš Dončić.
Sveçla, në një postim në Facebook, thotë se ka shprehur mirënjohjen për partneritetin e shkëlqyer që kemi me Kroacinë dhe për rolin aktiv në mbështetjen e pakursyer për Kosovën në vazhdimësi, si në procesin e njohjeve, antarësimeve në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtar.
“Diskutuam për situatën e sigurisë në vendin tonë, veçanërisht për sulmin terrorist të 24 shtatorit ku shpalosa të gjitha faktet që pas këtij sulmi qëndron Serbia me të gjitha kapacitetet shtetërore të saj. Po ashtu, i njoftova anëtarët e Komisionit për të arriturat tona në luftën kundër krimit të organizuar. Patëm mundësinë të diskutojmë edhe për komunitetin kroat që jetojnë në Republikën e Kosovës të cilët përveç që janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë, angazhohen edhe në institucionet tona për ngritjen e forcimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë”, shkruan ministri Sveçla.
Ai thotë se me këtë rast ka falënderuar anëtarët e Komisionit për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Republikën e Kosovës. “Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje si dy shtete aleate që angazhohemi për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe më gjerë”, shkruan Sveçla.