Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pas përfundimit të takimeve me kreun qeveritar Albin Kurti dhe zëvendësin e tij që është i ngarkuar me dialogun, Besnik Bislimi, ka folur shkurt para gazetarëve.
I pyetur nëse Kosova e Serbia duhet të bëjnë kompromise në dialog, ai tha se kompromiset përcaktohen nga palët.
“Dialogu është që të pajtohemi dhe tani kompromiset përcaktohen nga palët. Por, ky është dialogu, këtë e kemi bërë që nga viti 2011”, u tha gazetarëve ai.
Sorensen tha se në dialog si emisar special do të punojë në mënyrën e tij. Kështu u përgjigj ai kur u pyet nëse do të ndryshojë dialogu.
“Ne jemi të rinj në fakt, dhe si lehtësues do të punojë në mënyrën time”, tha Sorensen.
Ai u pyet edhe për mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë.
“Duhet të punojmë, të sigurohemi që njerëzit të shërbejnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Ndërkohë tha se data e sotme e vizitës së tij në Kosovë u përcaktua nga kalendari.