Në Kuvendin e Shqipërisë ka përfunduar seanca plenare, mes zhurmës, kaosit e tensioneve. Teksa mazhoranca ka vijuar mes zhurmës diskutimet e rendit të ditës, demokratët e grupit të ish-kryeministrit Sali Berisha ashtu sikurse kishin paralajmëruar, nuk lejuan zhvillimin normal të seancës plenare.
Demokratët bllokuan foltoren e Kuvendit me karrige të përmbysura, ndërsa ndezën tymuese e godisnin tavolinat duke mos lejuar punimet normale të seancës.
Ndezja e tymueseve dhe fletëve, duke rrezikuar përhapjen e flakëve në Kuvend, solli ndërhyrjen e Gardës, e cila u ndesh me rezistencën e deputetëve demokratë.
Këta të fundit teksa e konsiderojnë të turpshme sjelljen e mazhorancës dhe moslejimin e ngritjes së Komisioneve Hetimore të kërkuara nga ta, edhe në këtë seancë nuk lejuan zhvillimin normal të punimeve.
Në këtë kuadër, Kryeparlamentarja Lindita Nikolla përjashtoi nga seanca deputetit Flamur Noka, si autorin e ndezjes së tymueseve në Kuvend. RTSh