Në prag të Botërorit të klubeve, i cili do të nisë sot, për herë të parë gjyqtari do t’ju flasë direkt tifozëve në stadium dhe publikut televiziv në shtëpi përmes një mikrofoni, duke ua shpjeguar atyre se përse është marrë një vendim.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino përmes një postimi në rrjetin social, Instagram.
“Ky është një mesazh mjaft i rëndësishëm për të gjithë pasionantët e futbollit, të cilët duan të kenë më shumë qartësi rreth vendimeve të gjyqtarëve.
Shikojeni me kujdes Kupën e Botës për klube të FIFA-s, e cila do të nisë më 1 shkurt në Marok, e më pas do ta vëreni një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si gjyqtarët komunikojnë rreth vendimeve që lidhen me VAR-in.
Kjo është pjesë e një procesi të FIFA-s, e po ashtu duam gjithmonë që ta përmirësojmë qartësinë e VAR-it dhe ta përmirësojmë edukimin. Shpresojmë që do t’ju pëlqejë”, ka shkruar kreu i futbollit botëror.
VAR-i, edhe pse i kritikuar nga disa, i ka minimizuar gabimet e gjyqtarëve, të cilët kanë kontakt direkt me dhomën e këtij sistemi.
E tash e tutje, edhe shikuesit do të mundë të jenë të informuar se çka diskutojnë gjyqtari me stafin e VAR-it, të paktën në Botërorin e Klubeve.