F.B.
Pasditja e sotme ka qenë e rëndë për skuadrën e Barcelonës. Skuadra e Hansi Flick është mposhtur thellë nga Sevilla në “Estadio Ramón Sanchez Pizjuan”. Rezultati i ndeshjes së vlefshme për La Liga ka qenë 4-1. Kësisoji ka marrë fund edhe seria prej pesëmbëdhjetë ndeshjesh pa humbje të katalanasve në udhëtim.
Ndeshja ka nisur me ritëm të lartë, ku Barcelona është përpjekur ta marrë kontrollin që në minutat e para, por ka qenë Sevilla ajo që ka goditur e para. Pas një ndërhyrje të diskutueshme të Ronald Araujo ndaj Isaac Romero, gjyqtari ka akorduar penallti, të cilën Alexis Sanchez e ka shndërruar në gol për 1-0.
Barcelona është munduar të reagojë, por nuk ka arritur ta gjejë rrugën e golit. Përkundrazi, vendasit janë treguar më të rrezikshëm dhe pas disa rasteve të mira, Romero ka shënuar golin e dytë pas një kundërsulmi të shpejtë.
Në fund të pjesës së parë, Marcus Rashford e ka ngushtuar epërsinë me një goditje të fortë me të majtën, duke ringjallur shpresat e Barcelonës.
Në pjesën e dytë, skuadra e Barcelonës e ka shtuar presionin dhe ka pasur raste të mira me Pedri dhe Rashford, por portieri vendas, Odysseas Vlachodimos, ka qenë në formë të lartë. Në minutën e shtatëdhjetë, Barcelona e ka pasur mundësinë ta barazonte rezultatin nga penalltia, por Robert Lewandowski ka gabuar duke goditur jashtë portës.
Në minutat e fundit, Sevilla ka shënuar edhe dy herë për të vulosur fitoren. Jose Angel Carmona e ka realizuar golin e tretë me një goditje të saktë, ndërsa Akor Adams e ka mbyllur ndeshjen me golin e katërt në kohën shtesë.
Pas tetë javësh në La Liga, është Real Madrid që e kryeson tabelën me njëzet e një pikë. Bareclona gjendet në vendin e dytë me dy pikë më pak. Në vendin e fundit gjendet Mallorca me vetëm pesë pikë.


















