Sekretari i Përgjithshëm në Federatën e Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, ka thënë se hetuesit kanë bërë shkelje duke i marrë në pyetje lojtarët pa pasur urdhër dhe për çështje që nuk ju përkasin atyre. Ai ka parlajmëruar masa ligjore për këtë veprim.
Një deklarim i tillë nga ky zyrtar i FFK-së është bërë sot në një konferencë për media, ditën kur kryetari i FFK-së është ndaluar nga Policia e Kosovës.
“Ne assesi nuk jemi kundër drejtësisë, vetëm të bëhet në përputhje me normat ligjore. Fatkeqësisht ne jemi informuar nga stafi i kombëtares dhe lojtarët që dje ka pasur shqetësime të jashtëzakonshme për ta në hotel që nuk do të duhej të ishin, por sidoqoftë ato do të adresohen në organet përkatëse. Pra, hetuesit kanë bërë shkelje duke i marrë në pyetje lojtarët pa pasur urdhër dhe për çështje që nuk ju përkasin atyre. Ne do të ndërmarrim masa ligjore ndaj tyre”, ka thënë ai.
Sipas tij, stafi i Kombëtares nuk e ka ditur që ata ishin hetues.
“Kanë qenë anëtarë nga hetuesia, që nuk janë paraqitur që janë të tillë dhe ne nuk e kemi ditur që janë të tillë. Ne besojmë në gjykatën që do ta thotë fjalën e fundit dhe do t’i eliminojë të gjitha ato parregullsitë ligjore që ne konsiderojmë që nuk kanë qenë në konformitet me ligjet e aplikueshme në Kosovë. Këto sfida që po ballafaqohemi do të na bëjnë edhe më të fortë për dy sfidat kruciale që na presin për kualifikim në Evropian”, ka thënë ai.
Shkuarjen e hetuesve tek stafi i Kombëtares Hodaj e ka përshkuar si goditje për futbollin e Kosovës.
“Ne jemi për zbatim të ligjit dhe drejtësia t’i hetojë të gjitha ato që janë të bazuara në ligj. Mendojmë se momenti dhe mënyra se si janë ballafaquar lojtarët e kombëtares, stafi, fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar, duke marrë parasysh se jemi një ditë apo dy para udhëtimit për në Izrael. Duke e pasur parasysh formën dhe përgatitjet që janë bërë dhe shanset ideale që i kemi, kjo ka qenë një goditje për futbollin e Kosovës, posaçërisht për kombëtaren në këtë moment”, është shprehur ai.