Drejtoria e Shërbimeve Publike e komunës së Prishtinës do të fillojë fasadimin e objekteve të vjetra banesore. Ky projekt do të nisë me ndërtesën te rrethi, e cila përveç infrastrukturës së vrazhdë dhe të papërfunduar në aspektin ndërtimor, e ka të pazgjidhur edhe statutin pronësor.
Për këto projekte komuna e Prishtinës do të kërkojë edhe bashkëfinancim, por brenda dy viteve parashihet që të gjitha objektet e vjetra banesore të fasadohen.
Pamja e jashtme e kësaj ndërtese banesore, që ndodhet në hyrje të qendrës së kryeqytetit, nuk u lë përshtypje të mirë vizitorëve të Prishtinës.
Investimet në këtë objekt janë bërë në mënyrë vetanake dhe pa një kriter. Secili banor ka qenë i lirë ta rregullojë hapësirën banuese sipas shijes apo mundësisë, madje tek disa kanë mbetur edhe vetëm ndërtimi i vrazhdë.
Larg standardit për banim është edhe nga brenda. “Shkallët këtu janë shumë keq, pa lyer, veç thjeshtë ashtu, shumë keq janë kështu”, tha një banor.
“Këtu janë 250 banorë, pa lyer është brenda edhe jashtë, rryma është shumë keq, nxehjen afër e kemi edhe nuk na kanë kyç me ngrohtoren e qytetit, tha banori tjetër.
Kjo ndërtesë ka dy dekada që është e banuar, por hapësirat e përbashkëta kanë mbetur të papërfunduara në aspektin ndërtimor.
“Për këtë vit kemi paraparë me u bë kjo thirrje, me pas një dokument prej njerëzve kompetentë dhe profesional me qëllim që aty ku intervenohet me të vërtet të dimë a ia ka vlejtur apo ka pasur nevojë, jo me vlerësuar vetëm në aspektin e syrit, se a po duket mirë apo jo, por edhe në të njëjtën kohë kemi vendosë që me fillua me ndërtesën të rrethi”, deklaroi Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike.