F.B.
SBASHK ka kritikuar Qeverinë për qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe ikje nga dialogu, në konferencën e fundvitit.
“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj duke prezantuar raportin e punës ka deklaruar se fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë për çka përmes shkresave janë kritikuar edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë dhe Internacionales Botërore të Arsimit (EI), që numëron 32 milionë anëtarë”, thuhet në njoftim.
Tutje kreu i SBASHK-ut, ka thënë se madje ekzekutivi ka pasur tendencë për shuarjen e tyre.
“Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK. Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023”, vazhdon njoftimi nga SBASHK.
Ndërkaq Këshilli Drejtues ka shpallur koordinatorin për organizim të brendshëm, Ymer Ymerin si sindikalist të vitit, ndërkaq kryetarin Rrahman Jasharajn si sindikalist të vitit në nivel vendi.