I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka kërkuar më shumë vullnet politik dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Emisari gjerman kërkoi që Serbia të shkojë në rrugën drejt BE dhe kërkoi nga Beogradi të vendosen sanksione ndaj Rusisë.Për sa i përket marrëdhënieve të Kurtit me ndërkombëtarët, Sarrazin tha se nuk është ne interesin afatgjatë të Kosovës që të humbë mundësitë drejt BE.“Rruga në të cilën po ecën qeveria e zotit Kurti në dialog, në planin afatgjatë, kam frikë se kjo mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian. Kam frikë se kjo mund të çojë më shumë në një drejtim të mbështetjes tek vetja dhe humbjes së mundësive për të shkuar drejt Bashkimit Evropian”, tha Sarrazin për Abc Neës.
Emisari gjerman komentoi edhe Samitet e mbajtura në Tiranë dhe bëri thirrje që të mos përdoret e kaluara për të rritur ndjenjat nacionaliste, por vendet e Ballkanit Perëndimor të punojnë së bashku për të shkuar drejt Bashkimit Europian.
“Mendoj se nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë ide të përgjithshme të samitit, i cili u organizua për të treguar se Moldavia, Ukraina dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë bashkë dhe së bashku mund të arrijnë shumë dhe duhet ta shohin njëri-tjetrin pozitivisht, kuptojnë dhe dinë se çdo hap që bën një nga këto vende do të ndihmojë gjithashtu të tjerët. Kjo është shumë pozitive. Dhe gjithashtu kjo, ajo që ndjeva si atmosferë mes liderëve, ishte shumë e rëndësishme. Dhe më pas, Tirana mundi të jepte një mundësi për një takim dypalësh të zotit Zelenski dhe zotit Vuçiç, i cili natyrisht ka disa synime, të cilat ju e dini, ndoshta edhe të dobishme për palën serbe, por gjithsesi, është një fazë e mirë, padyshim”, tha tutje ai.