Tufë dronësh rusë fluturuan në hapësirën ajrore të Polonisë, gjë që zyrtarët atje e konsiderojnë si provokim të qëllimshëm. NATO reagoi duke forcuar mbrojtjen ajrore të aleancës në krahun lindor. Moska shfaq fuqinë e saj ushtarake konvencionale dhe bërthamore në stërvitje të planifikuara prej kohësh me Bjellorusinë, ndërsa paralajmëron Perëndimin kundër dërgimit të trupave të huaja në Ukrainë.
Këto ngjarje,të gjitha brenda muajit pas samitit SHBA-Rusi në Alaskë që dështoi të sillte paqe në Ukrainë, vetëm sa e kanë rritur tensionin në Evropën Lindore.
Kur presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, kjo ndodhi disa ditë pas manovrave të përbashkëta me Bjellorusinë. Stërvitjet e gjera më të fundit, të quajtura “Zapad 2025” – ose “Perëndimi 2025” – kanë shqetësuar vendet anëtare të NATO-s Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë që kufizohen me Bjellorusinë në perëndim, raporton AP.
Manovrat përfshijnë bombardues dhe anije luftarake me aftësi bërthamore, mijëra trupa dhe qindra mjete luftarake që simulojnë një reagim të përbashkët ndaj një sulmi armik – duke përfshirë, sipas zyrtarëve, planifikim për përdorimin e armëve bërthamore dhe opsione që përfshijnë raketën e re balistike me rreze të mesme të Rusisë, Oreshnik.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përmendi raketat hipersonike të Moskës, duke vënë në dukje se ato e rrëzojnë idenë se Spanja apo Britania janë më të sigurta sesa fqinjët e Rusisë si Estonia apo Lituania.
“Le të pajtohemi se brenda kësaj aleance prej 32 shtetesh, të gjithë jetojmë në krahun lindor,” tha ai në Bruksel.