Cristiano Ronaldo është zgjedhur si “Më i miri i të gjitha kohëve” nga Federata Portugeze e Futbollit.
Kapiteni portugez, i cili është golashënuesi më i mirë në histori të Kombëtares me 141 gola nga 223 ndeshje, e shtoi një tjetër çmim individual në karrierën e pasur dhe impresionuese.
“Një idhull i miliona njerëzve, ai e ka definuar epokën dhe do ta lë një shenjë të pashlyeshme në botën e futbollit”, shkroi Liga Portugeze, përcjell “Gazeta Express”.
“CR7 u nderua me çmimin ‘Më i miri i të gjitha kohëve’, një mirënjohje për faqet e arta që vazhdon t’i shkruajë në karrierën e tij.”
“I njohur për punën e tij epike, konkurruese dhe vendimtare në momentet kyçe, ndikimi i Cristiano Ronaldos shkon përtej statistikave.”
“Mes rekordesh individuale, titujsh kolektivë dhe ndikimit mediatik, ai e ndërtoi një trashëgimi që e rendit atë si… Më i miri ndonjëherë.”
Pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk mundi të ishte pjesë e ceremonisë që u mbajt në Porto, por e dërgoi një video-mesazh, përmes së cilit e shfaqi mirënjohjen.
“Dua ta falënderoj Ligën për këtë çmim të Lojtarit më të mirë ndonjëherë”, tha fillimisht futbollisti i Al Nassr.
“Siç mund ta imagjinoni, për mua është një nder i madh të fitoj diçka për vendin tim. Më duhet t’i falënderoj krejt bashkëlojtarët që më ndihmuan gjatë krejt karrierës sime për të fituar trofe të mrekullueshëm. I falënderoj edhe trajnerët dhe çdokënd që më ndihmoi të bëhem më i mirë”, shtoi 40 vjeçari.
Këtë javë, Ronaldo u bë golashënuesi më i mirë në histori të kualifikimeve të Botërorit 2026 në fitoren 3:2 ndaj Hungarisë.