Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është takuar me drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të ShBA-ve, Colleen Hyland.
Në postimin e saj në Facebook, Rizvanolli, ka potencuar se eksporti, tregu i punës, investimet e huaja, energjia e sektori teknologjik kanë qenë temat e shtjelluara.
“Znj. Hyland e njeh shumë mirë Kosovën pasi ka shërbyer si Zëvendës Shefe e Misionit në Ambasadën Amerikane në Kosovë, e më parë edhe si Këshilltare për Politikë e Ekonomi. Andaj është kënaqësi të ndaj me të progresin e Kosovës gjatë këtyre viteve, për të cilin edhe ajo vetë ka kontribuar”, ka shkruar ajo.
Kryesuesja e ekonomisë në vend ka theksuar se ka shprehur mirënjohjen e saj për përkrahjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe agjensive si USAID e MCC për rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të ekonomisë, e në veçanti atij të energjisë.