Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në vizitë kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, bashkë me delegacionin e tij.
Me këtë rast Rama i ka dhuruar “Çelësin e Kryeqytetit”. E kryeministri malazez Abazoviq tha se ndihet si të ishte në shtëpinë e tij.
“Ndoshta në mënyrë simbolike po e ndiej veten qytetar të Prishtinës dhe me të vërtetë po e ndiej veten si në shtëpinë time”, tha Abazoviqi.
Abazoviqi më pas do të takohet me kryeministrin Albin Kurti. Me këtë rast do të nënshkruajnë Marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kryeministri Abazoviq do ta vizitojë edhe kolegjin “Universum”, ku do të promovohet libri i tij “Kritika e Etikës Globale”. Në një ceremoni të ndarë, drejtuesit e kolegjit do t’i ndajnë Abazoviqit doktoratë nderi.
Kryeministri i Malit të Zi do të takoj po ashtu dy ish-presidentët e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, kryeministri Abazoviq do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ministrat nga komunitetet joshumicë. /EO