Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, përfaqësuesi i Qendrës Burimore për personat e zhdukur, Bajram Qerkini i cili ka edhe familjarë që ende i kërkon, ka pasur një sërë kritikash për punën e Qeverisë në raport me hulumtimet për gjetjen e këtyre personave.
Janë mbi 1600 persona të cilët ende kërkohen 23 vjet pas luftës. Ndërkaq ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së ka thënë se çështja e të pagjeturve është shndërruar në mjet politik e jo humane.
“Në dokumentin e takimit të Ohrit çështja e të pagjeturve është në pikën 6. Në Bruksel e kanë vendosur në pikën 1. Deklaratat e tyre para Brukselit edhe Ohrit kanë qenë asi soji që do ta marrin përsipër dhe do të kthehet në interes human e jo politike. Por ndodhi që krejt ka stagnuar komplet ky proces, kemi informatë vetëm nga mediat, s’kemi kontakte direkte sepse s’kanë çka me thënë”, ka thënë Qerkini për transmetuesin publik.
Sipas tij është bllokuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bashkë me grupin dialogues.
“Prej 27 prillit para Obeliskut më s’kam pasur kontakt me kryeministrin. Aty i kam thënë çfarë ndodhi se u fut politika dhe ky proces u ndal. Ai ka thënë unë punoj sa mundem dhe sa di”, ka thënë Bajram Qerkini.