Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij sot në Mal të Zi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku pjesën më të madhe të konferencës e kaloi duke debatuar me gazetarët, e posaçërisht u nervozua kur e pyetën për Kosovën.
Gazetari i Televizionit të Podgoricës e pyeti Vuçiqin për situatën me Kosovën, duke përdorur termin “Republika e Kosovës”, duke i renditur atij se çfarë kishte ndodhur atje që nga ardhja e SNS (Partisë Përparimtare Serbe) [partisë së Vuçiqit] në pushtet.
Siç raporton “Nova”, Vuçiq dukshëm i nervozuar i është përgjigjur gazetarit.
“Faleminderit që e bëtë këtë. Nëse nuk do ta bënit, shumë do të dyshonin në fjalët e mia. Kështu e panë të gjithë se sa të drejtë kisha. Nuk ka Republikë të Kosovës, nuk ekziston sipas të Drejtës Publike Ndërkombëtare. Nuk ekziston sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, nuk ekziston sipas Rezolutës 1244. Nuk më shqetëson që ju jeni të lumtur dhe doni të provokoni qëllimisht duke thënë Republika e Kosovës. Imagjinoni që po flas për ‘Republikën e Gusisë’ ose ‘Republikën e Plevles’. Nuk do t’ju them sepse nuk ekziston”, tha Vuçiq, duke shtuar se “Kosova është pjesë e Serbisë”.