Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion para Ministrisë së Shëndetësisë, ku vendosën disa fotografi e, siç thanë aktivistë të PSD-së, përmes këtyre fotografive po i tregojnë ministrit për gjendjen në spitalet e Kosovës.
“Sot kemi radhë të gjatë të pritjeve për intervenime në secilën klinikë. Kemi mungesë aparaturash e staf shëndetësor, që largohet nga vendi. Ka mungesë të barnave esenciale për pacientë. E për ma keq, kemi hapësira spitalore në këtë gjendje”, thuhet në reagimin e PSD-së.
Tutje, në reagim bëhet ditur se derisa ministri mbështet spitalet private me udhëzime administrative, hapësirat e spitaleve tona duhet të jenë vendet ku përmirësohet shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve, por, në vend të kësaj, janë hapësira me potencial të infektimit e sëmundjes.
“Shëndeti është e drejtë themelore e njeriut e kjo gjendje është fyerje ndaj çdo qytetari, e po ashtu ndaj profesionistëve të shëndetësisë që punojnë me devotshmëri për të mbrojtur jetët dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, thuhet, ndër të tjera, në reagim, derisa vlerësohet si dështim serioz moral dështimi i Qeverisë për ndarjen të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor dhe për të përmirësuar shërbimet shëndetësore, “shtë një keqpërdorim i besimit të qytetarëve për mirëqenien e tyre”.
“Neve s’na duhet ministër pedant e me mindil, na duhen spitale të pastra e higjienike”, thuhet në fund të reagimit të PSD-së.