Pasditen e së enjtes pritjet e gjata të mërgimtarëve në pikat kufitare për të dalë nga Kosova kanë prekur kulmin.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (raporti i orës 18:06) plot shtatë orë e gjysmë kohë nevojiten për të lëshuar Kosovën përmes vendkalimit kufitar të Merdarit.
Radhët për të dalë nga ky vendkalim kufitar tashmë kanë shkuar në tre kilometra. Situatë jo e lehtë me radhët është edhe në dy vendkalimet tjera kufitare, Muçibabë e Dheu i Bardhë.
Pritjet në këto dy pika janë rreth një orë e gjysmë derisa kolonat e veturave shkojnë nga 600-700 metra.
Në Jarinjë pritjet për të dalë nga Kosova e kalojnë gjysmë orëshin, derisa kolona e veturave është rreth 300 metra. Në Mutivodë pritjet janë rreth 15 minuta, derisa nuk ka radhë të veturave.