Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj sot në seancën solemne të Kuvendit me rastin e ditës së çlirimit të Kosovës, ka folur për rëndësinë dhe vlerën e kësaj.
Begaj ka thënë se në përvjetorë të tillë të shenjtë për shqiptarët ne përulemi me nderim para martirëve dhe figurave të shquara që, me jetën dhe veprën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e kombit shqiptar.
“Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, simbolin e rezistencës paqësore, elitës intelektuale, që me filozofinë e tij të paqes vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perëndimore.
Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare, i palodhur në betejën e tij për mbi pesë dekada, sfiduesin lapidar të 28 viteve në burgjet e ish-Jugosllavisë.
Sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur, flakadanë të lirisë së saj.
Nderojmë kryetrimin Adem Jashari, legjendë e gjallë e atdhedashurisë.
Burra të tillë rrallë i lind historia”, ka thënë ai.
Presidenti ka theksuar po ashtu se sot është dita të kujtojmë të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që i falën Kosovës së lirë e të pavarur jetën dhe ata që amanetin e bashkëluftëtarëve ua transmetuan brezave të rinj: Liria nuk është dhuratë. Ajo duhet të mbrohet.
Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm.
Kosova është histori suksesi.
Çdo betejë juaja, është beteja jonë! Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë!
Gëzuar Ditën e Çlirimit!