Policia e Kosovës, sot në mëngjes, në pikën e kontrollit tek Ura e Bistricës, magjistralja Mitrovicë-Jarinjë, kanë ndaluar një autobus, të cilin e voziste një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, i cili ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Leposaviqit në drejtim të Mitrovicës.
Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit në autobus ka hasur një sasi të madhe të mallit që dyshohet të jetë kontrabanduar nga Serbia.
“Gjatë kontrollimit është vërejtur se në bagazhet e autobusit ka një sasi të madhe të mallit që dyshohet i kontrabanduar nga Serbia (laptop, monitor, pjesë kompjuterike, telefona, pjesë të telefonave mobilë, pjesë të automjeteve)”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Sipas Policisë, për të gjitha rrethanat e rastit është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij është iniciuar rasti cilësuar si ‘kontrabandim me mall’.
Më tej Policia ka sqaruar se malli dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për procedura të mëtutjeshme ligjore, ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.