Selektori i Kosovës, Franco Foda ka zgjeruar hapësirën e polemikave rreth cilësisë së fushës së re të stadiumit “Fadil Vokrri”, e cila buxhetit të Kosovës i kushtoi 1.3 milion euro.
Ai gjatë konferencës së sotme për shtyp e kritikoi fushën e re në stadium, duke thënë se fusha nuk është fare në gjendje të mirë.
“Për herë të parë do të luajmë edhe ne në fushën e re, por me aq sa pash, fusha nuk është në gjendje perfekte”, ka thënë Foda.
Por, Foda nuk është i vetmi që u ankua në cilësinë e fushës së “Fadil Vokrrit”.
Saktësisht një javë më parë, ankesat e njëjta i patën edhetrajneri e lojtari i Legias së Varshavës, të cilët madje e cilësuan fushën si “beton”, menjëherë pas ndeshjes kualifikuese për Ligën e Konferencës ndaj Dritës.
“Duke parë skuadrën time, pyesja vetën nëse kishim bërë gjënë e duhur në stërvitje në Poloni, sepse vërtetë nuk mund ta përballonim fushën. Ishte e vështirë për të lëvizur topin, kjo është diçka për të menduar. Ishte një ndeshje në një teren të vështirë, kishte kushte jo të mira. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ngarkesa e nyjeve të futbollistëve pas një ndeshje në një fushë të tillë është më e madhe, duhet të kemi kujdes”, kishte thënë trajneri Goncalo Feio i Legias.