F.B.
Superliga e Kosovës në basketboll po hyn në fazën vendimtare të kampionatit me rrethin e katërt, që premton ndeshje shumë të forta, dhe luftë deri në fund për çdo pozitë.
Sigal Prishtina dhe Proton Cable Prizreni ndeshen në kryeqytet, me të dy skuadrat që kanë pasur formë të ndryshme së fundi. Bardhekaltrit kanë shtatë fitore radhazi në elitë, duke mos pësuar humbje në vitin 2025 në ProCredit Superligë, derisa prizrenasit janë në vështirësi, pasi ndodhen në pozitën e fundit me pesë fitore e 16 humbje, derisa prishtinasit janë në vendin e tretë me 13 fitore e tetë humbje.
Takim interesant shihet ai ndërmjet Pejës dhe Vëllaznimit, vendit të pestë dhe katërt në renditje. Verdhezinjtë kanë dhjetë fitore e 11 humbje, kurse kuqezinjtë 11 fitore e dhjetë humbje, andaj pritet një sfidë e baraspeshuar të shtunën mbrëma.
Takimi kryesor i kësaj jave është ndërmjet Trepcës dhe Bashkimit në “Minatori”. Këto dy skuadra u përballën në finalen e ProCredit Kupës më 12 shkurt, ku ‘Xehetarët’ fituan 85:79, për të fituar Kupën për herë të katërt radhazi apo për herë të tetë në histori të klubit. Po ashtu kjo sfidë është për vendin e parë. Prizrenasit janë liderë me 15 fitore e gjashtë humbje, ndërsa mitrovicasit janë në vendin e dytë me 14 fitore e shtatë humbje. Në tri takimet mes këtyre dy skuadrave në këtë edicion të elitës, prizrenasit kanë dy fitore dhe një mitrovicasit, ku tri ndeshjet u fituan nga vendasit.
ProCredit Superliga-Java 22
E shtunë
19:00 Sigal Prishtina – Proton Cable Prizreni
19:00 Peja – Vëllaznimi
E diel
19:00 Trepça – Bashkimi
19:00 Golden Eagle Ylli – Bora