KB Peja ka pësuar humbje mbrëmë në përballjen kundër Hapoel Beer Shevas, e cila ishte e vlefshme për xhiron e shtatë të fazës së grupeve të Ligës Ballkanike.
Ndeshja u zhvillua në palestrën sportive “Karagaçi” në Pejë, ku Hapoel Beer Sheva shënon fitore me rezultat të ngushtë 89:88.
U nevojitën vazhdimet për ta përcaktuar fituesin, ku ndeshja u vendos pas një treshe të realizuar nga Egor Koulechov, 1.4 sekonda para se të përfundojë i gjithë dueli.
Çereku i tretë i takoi Hapoelit (22:19), kurse Peja luftoi shumë në çerekun e katërt duke krijuar epërsi prej katër pikësh, respektivisht 22:18, dhe për ta dërguar ndeshjen në vazhdime pasi që semafori tregonte rezultat të barabartë 77:77.
Izraelitët u treguan më të suksesshëm në vazhdime duke qenë në epërsi 12:11, gjë që bëri ta fitonin ndeshjen me shifrat 89:88.
Me pikët e reja, Hapoel Beer Sheva kryeson tabelën e Ligës Ballkanike me 10 pikë, një më shumë se KB Peja që zë vendin e dytë me nëntë pikë.
Kjo ishte humbja e parë e pejanëve në Ligën Ballkanike pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 36:37 në favor të Hapoel, kurse ndeshje e zjarrtë vazhdoi të zhvillohej edhe në dy çerekët e fundit.