F.B.
Peja shënoi fitore në përballjen e parë çerekfinale në udhëtim ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 71:77 (23:19, 18:29, 19:15, 11:14).
Çereku i parë ishte tërësisht i baraspeshuar deri në fund, kur vendasit për një nuancë ishin më të mirë, për të fituar këtë pjesë 23:19. Skuadra pejane u rikthye fuqishëm në periudhën e dytë për të përmbysur shifrat dhe për të shkuar në pushim me rezultat 41:48.
Pjesa e dytë ishte shumë e luftuar nga të dy skuadrat deri në fund. Lufta ishte e madhe, ku në fund mysafirët ishin më të përqendruar për të fituar 71:77.
Më i miri te vendasit ishte Lis Shoshi me 15 pikë e 14 kërcime, kurse te mysafirët u dallua Benas Griciunas me 17 pikë e 12 kërcime.
Ndeshja e dytë zhvillohet të dielën në Pejë, ndërsa skuadra që shënon dy fitore kualifikohet në gjysmëfinale.