Partia Demokratike e Kosovës në një konference për media ka kundërshtuar dy projektligjet e fundit të miratuara dje. Ata e kanë quajtur si “forcuese për akuzat ndaj UÇK-së” rithemelimin e Institutit për Krime të Luftës si dhe e kanë kundërshtuar përjashtimin e veteranëve të UÇK-së nga projektligji për pagën minimale.
Blerta Deliu – Kodra ka thënë se këto janë dy vendime skandaloze të Qeverisë. Tutje ka thënë se “Qeveria Kurti apo Qeveria Zdravo është koordinuar me Rajdoqiçin dhe listën serbe” për këto vendime.
“Serbia ka dërguar me mijëra dokumente e fabrikime kundër UÇK-së në Hagë. Përmes kalimit të këtij ligji, në këtë lloj forme, Qeveria i ka përforcuar këto akuza kundër UÇK-së. Kryeministri Kurti ka mashtruar në deklarimin e tij publik mbrëmë, duke iu drejtuar qytetarëve se kohëzgjatja e hetimit të këtij instituti shtrihet vetëm gjatë luftës në Kosovë, 98-99. Ky është një mashtrim i radhës. Kryeministri deklarohet në Facebook ndryshe, ndërsa, në fakt, kohëzgjatja e hetimit të këtyre krimeve është deri në 31 dhjetor të vitit 2000”, ka thënë Deliu – Kodra.
Ka shtuar se PDK i ka kundërshtuar këto projektligje edhe përgjatë hartimit të tyre në komision. I ka quajtur si “skandale të papara”.
“Ne për çdo vit e festojmë 12 qershorin si datën e festimit të vendit, që nga ajo ditë s’ka pasur luftë e as krime që mund t’i përvishen UÇK-së siç po pretendon e ka pretenduar Serbia, e tashmë fatkeqësisht edhe Qeveria”, ka thënë ajo.
Koordinatori për Financa në KQM, Arben Mustafa, ka thënë se përfituesit e pensionit të veteranit varen vetëm nga ky burim i të hyrave.
„Qeveria e Kosovës me vendimin për përjashtimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale po konstaton se për një familje Kosovare që ka një të punësuar nuk mjafton një pagë minimale prej 170 euro për t’i plotësuar nevojat bazike të jetesës por i duhen 264 euro, ndërsa një familje e veteranit të UÇK-së duhet të mjaftohet me 170 euro”, ka thënë Mustafa.