Partia Demokratike e Kosovës sot i është përgjigjur pozitivisht ftesës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për takim të përbashkët me përfaqësues të Qeverisë, partive politike dhe shoqërisë civile.
Pas takimit, PDK-ja, përmes një komunikate, ka thënë se vlerëson lart angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi.
“Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente. Rrjedhimisht, PDK-ja në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PDK-ja.
Partia Demokratike e Kosovës tutje thotë se do të japë gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës.