F.B.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, i cili ishte i shoqëruar nga këshilltari i presidentit të Turqisë, Sabri Demiri. Ndërmarrësia, mbrojtja, siguria e shëndetësia kanë qenë disa nga pikat kyçe të diskutimit.
Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, presidentja Osmani diskutoi për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratisllavë.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve.
“Me zv.ministrin Kemal Bozay, presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, organizimin e një forumi të bizneseve të dy shteteve, sikurse edhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftimin e Presidencës pas këtij takimi.
Osmani ka theksuar se komuniteti turk në Kosovë është urë lidhëse mes dy shtetesh, teksa ka ftuar edhe një herë presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan në Kosovë.
“Presidentja Osmani ka përsëritur ftesën për homologun e saj, presidentin RecepTayyip Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës, në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, njofton tutje Presidenca.
Më herët zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay e ka pritur edhe kryeministri Albin Kurti.