Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se kryeministri Albin Kurti po shet “mjegull politike” pasi sipas tij, nuk ka ekip të aftë për të pasur ide mbi ngjarjet kryesore të ditëve të fundit.
“Kurti nuk tregon kur betohen kryetarët e rinj të komunave veriore, kur kthehen zyrtarët bojkotues të institucioneve në veri, kur zbaton draftimin e Asociacionit për vetëmenaxhimin e komunave më shumicë serbe e kur zbaton vendimin me kërkesen e tij për hapjen e urës per veriun e Mitrovicës”, shkroi Haziri në një postim në Facebook.
“Kurti nuk tregon planin për kthimin e refugjatëve në atdheun e tyre për Mitrovicë dhe komunat në veri, nuk tregon kur ia kthen buxhetin vetanak komunave, nuk tregon kur përfundon autostrada për Gjilan, Mitrovicë e Pejë, si dhe 780 milionë euro të investimeve kapitale kur përfundojnë”, shkroi ai.
“Kurti nuk tregon kur ta merr shpresën se i duhet me vazhdu shitjen e mjegullës politike për paaftësinë e ekipit dhe bedelëve të tij”, vazdhoi nënkryetari i LDK-së.
Siç shkroi Haziri, “veç Kurti e di se cili prokuror, gjykatës, polic, mjek, anëtar bordi, kryeshef agjencie e drejtues tjerë institucionalë i pelqen atij, kryekuvendarit dhe Presidentes”.
“Për të tjerët s’ka gajle. Populli thotë: Qeveria në qiell e populli në buqillë!”, shkroi Haziri.