Ndihmës Sekretari i ri për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, James C. O’Brien, në kuadër të një vizitë të të tij në disa shtete europiane është ndal edhe në Paris të Francës për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.
Në margjina të këtij forumi, ai ka në agjendë edhe takimet me disa liderë ballkanikë. Të parin e nisi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski, ndërsa më pas pritet të takojë edhe kosovarin Albin Kurti.
Për takimin me O’Brien, Kovachevski tha se me të foli për prioritetet e politikës së jashtme të Qeverisë dhe për raportin mes dy shteteve.
“Me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë theksuam rëndësinë e partneritetit të fortë strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Biseduam për zhvillimet e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut dhe për prioritetet e politikës së jashtme të Qeverisë”, ka shkruar ai në X.