Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka reaguar pasi aksionit që policia e ka zhvilluar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas tij arrestimet që janë zhvilluar të premten nuk mjaftojnë dhe se duhet hetime, për siç ka shkruar ai, lidhjet kriminale të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Arrestimet nuk mjaftojnë. Duhen hetime të thella të aktiviteteve dhe lidhjeve kriminale të zyrtarëve më të lartë të VV-së, të cilët kjo parti i mbron publikisht! Shihet qartazi që nuk është çështje individësh por është sistematike”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai ka radhitur një numër zyrtarësh të LVV-së, që ka thënë se janë të përfshirë në raste të ndryshme.
“Rozeta Hajdari miliona euro për grurë e vaj që s’ka ardhë kurrë. Martin Berishaj pranon miliona euro nga Beogradi për tregti me energji. Nagip Krasniqi arrestohet për tendera dhjetëra milionë euro në KEK. Faruk Mujka ish-nënkryetar i Mitrovicës arrestohet dhe i gjinden 60.000 euro cash në shtëpi. Hysen Muzliukaj ish-drejtor në Mitrovicë dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë i arrestuar për keqpërdorim të detyrës. Liridon Fandaj asambleist në Suharekë i arrestuar për vjedhje të subvencioneve të bujqësisë. Besnik Mujeci asambleist në Prishtinë i arrestuar për trafikim droge. Berat Lahu asambleist në Prishtinë i përfshirë në rastin Brezovica”, ka shkruar Mustafa.