Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se me iniciativën për tërheqjen e 30-përqindëshit të mjeteve nga Trusti po tentohet të shkatërrohet sistemi pensional.
Sipas Muratit, me këtë nismë po synohet që të shkatërrohet ky sistem dhe të kalohet në sistemin ku kontribuon gjenerata për gjeneratë.
“Çka po synohet me këtë nismë është shkatërrimi i sistemit pensional se kjo tashmë edhe është thënë nga deputetë të opozitës. Pra synimi është që të merren këto 30 për qind dhe pastaj edhe 30 të tjera dhe të shkatërrohet si sistem, dhe të kalojmë në sistemin ku kontribuon gjenerata për gjeneratë. Pra, gjeneratat aktuale që kanë kontribuar duhet të vazhdohet kontributi edhe për gjeneratat e tjera, duhet të paguhet dyfish kushdo që ka paguar në Trust, për shkak se dikujt iu ka tek ta shkatërrojë sistemin”, deklaroi Murati.