Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar ndaj dokumenteve të ambasadorit të Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli drejtuar ministres Donika Gërvalla-Shëarz për raportet me këtë shtet.
Molliqaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke shantazhuar dhe se është “fajtor” për këto marrëdhënie që siç i quan ambasadori Dugolli “brutale”, raporton Zeri.info.
“Gjendja e ambasadës tonë në Uashington DC është pasqyrë e qeverisjes Kurti. As nuk shpenzohet për projekte, as nuk shpërndahet për mirëqenie. Ndërkohë, ambasadat janë pa staf. Mendësia ështè feudale: kursimi krijon fitim. Ka mbetur veç t’i kthejnë paratë në flori dhe t’i mbjellin në tokë për shumim”, shkroi ai ndër të tjera.
Kreu i PSD-së ka thënë se edhe me Asociacionin do të ndodhë e njëjta gjë siç ka ndodhur me shtyerjen e zgjedhjeve dhe me targat.
“Deklaratat nxisin tension e frikë, publiku këtu është në ankth, përpara se gjithçka të pranohet, pa u kuptuar tamam çfarë u pranua. Prodhimi i një rreziku është mbrojtje për kompromiset. Kurti po i shantazhon njerëzit. Frika, tash sa kohë është mjeti i tij për ta shitur kompromisin. Përndryshe do të jepte dorëheqje. Kjo qasje përveç që e dëmton rëndë Kosovën së brendshmi, as marrëdhëniet me aleatet nuk do t’i kthejë në pikën e mëparshme”, shkroi ai ndër të tjera.