Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është shkarkuar nga detyra kryeinspektori Ylber Topalli.
Ky shkarkim ka ardhur pasi Ministria konsideron se janë bërë “një sërë gjetjesh faktike” që dëshmojnë shkelje të rënda në një rast të ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit.
“Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurise nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtesisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kan kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit.” – shkruhet në një reagim nga MD.
Në këtë shkrim, thuhet se Topalli e kishte quajtur rastin e Astrit Deharit (të cilit ministria i referohet me emër) si “vetëvrasje”.
Gjatë ditës së djeshme disa medie raportuan se Topalli do të shkarkohej shkaku i rastit të zhdukjes së mostrave, por një gjë e tillë duket se nuk ka lidhje me të vërtetën.