Pas përplasjes së fundit në distancë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo thotë se tani mes shqiptarësh “do të kemi më shumë diplomaci sesa bashkëpunim vëllazëror”.
Milo beson që ideja e Ramës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është iniciuar me miratimin në nivelet më të larta europiane dhe të Departamentit amerikan të Shtetit, në mënyrë që të bëhet sa më i plotë “rrethimi” i Kurtit në vorbullën e presionit ndërkombëtar.
Rama e pëlqen debatin dhe polemikën, por Milo thotë se “këtë herë është ndjerë keq se po godiste me gjyle të huaja muret e jashtme të Kosovës”. Ai e ka parë emocional si “rrallë herë” kryeministrin shqiptar në konferencën e fundit për media ku paralajmëroi se bashkësia euro-atlantike po përgatiste masa sanksionuese ndaj Kosovës.
Sipas ish-kryediplomatit shqiptar “Kurti me siguri e ka lexuar e shqyrtuar” draftin e Ramës për Asociacionin që thotë se “është draft europian” në thelb. “Kurti pohon të kundërtën dhe ai nuk do të deklarohet se e ka lexuar. Sepse ai në parim ndihet ‘i tradhtuar’ nga Rama që nuk e informoi atë paraprakisht dhe së dyti që nuk e mbështet në rezistencën e tij kundër presioneve euro-amerikane”.