Në Mejë të Gjakovës, sot po përkujtohen 377 të vrarët e masakruarit nga Serbia në luftën e Kosovës.
Të pranishëm në 24 vjetorit e kësaj masakre edhe për të bërë homazhe janë edhe figura politike e institucionale të vendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se si çdo 27 prill edhe këtë vit sa herë që shkon në Mejë, në Lëndinën e Krenarisë, nuk ka se si të mos kujtojë këtë rrugëtim të rëndë e tragjik të popullit tonë.
“Që sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot dhe padyshim si në çdo ditë tjetër, por në mënyrë të veçantë në këtë ditë, kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve në radhë të parë, por edhe të kombit tonë në përgjithësi”, tha Krasniqi.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se sot në Mejë, me përulje nderohen martirët e kësaj masakre.
“Masakra e Mejës është më e madhja në Kosovë, me 377 të vrarë”, tha ai.
“Po ashtu ka ende të pagjetur. Këtu pushojnë trupat e shqiptarëve të pafajshëm të të dyja besimeve në Kosovë”, rikujtoi Haradinaj.
Për të përkujtuar të rënët e kësaj masakre, janë duke marrë pjesë edhe qindra qytetarë dhe zyrtarë të tjerë nga niveli lokal e qendror.