Me moton “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka nisur marshi protestues në kërkim të drejtësisë për vrasjen mizore të Liridona Ademajt më 29 nëntor dhe për të gjitha gratë që u vranë nga burrat.
“Edhe sa thirrje të humbura” , “Liri, barazi, solidaritet”, “Drejtësi për gratë e vrara” janë disa nga pankartat e brohoritjet e protestuesve.
Ata kanë protestuar duke thënë se “vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare” dhe “poshtë patriarkati”, raporton RTV Dukagjini.
Protestuesit kanë hedhur tym të zi në drejtim të policisë.
Para prokurorisë në Prishtinë ata kanë vendosur pankartën “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” të mbuluar me ngjyrë të kuqe.
Teksa tërë rrugën ku kanë ecur protestuesit e kanë bërë me ngjyrë të kuqe stacionin e Policisë.
Protestuesit më pas kanë thyer kordonin e policisë dhe të njëjtit kanë kaluar në oborrin e Qeverisë së Kosovës.