F.B.
Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së dytë të fazës së ligës, ku tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin përballje të zjarrta në garën më prestigjioze të futbollit evropian.
Real Madridi ka udhëtuar plot tetë orë drejt Kazakistanit, ku do të përballet me Kairat Almatyn. “Los Blancos” synojnë fitoren për ta harruar sa më shpejt disfatën e rëndë në derbin madrilen kundër Atletico-s.
Në tri pikë të reja llogarit edhe nënkampioni i Evropës, Interi, që sonte do të presë Slavia Pragën në “San Siro”.
Një sfidë mjaft interesante pritet të zhvillohet në Stamboll, aty ku Galatasaray do ta presë Liverpoolin. Edhe pse anglezët janë favoritë në letër, atmosfera e zjarrtë në “Ali Sami Yen” premton një duel të vështirë për ta.
Një ndeshje më të lehtë, të paktën në letër, e ka Bayern Munichu që do të përballet në udhëtim me surprizën Pafos FC. Harry Kane dhe bashkëlojtarët e tij nuk pritet të kenë shumë pengesa për ta siguruar fitoren.
Ndërkaq, sfida e mbrëmjes luhet në Londër. Kampionia e botës, Chelsea, do të ballafaqohet me Benfican e Jose Mourinhos. Portugezi rikthehet në “Stamford Bridge” si trajner i kundërshtarit, por edhe si hero i kujtimeve të vjetra që ka lënë te Blutë.
Sonte do të zhvillohen gjithsej nëntë ndeshje të fazës së ligës. Dy prej tyre nisin nga ora 18:45, ndërsa shtatë të tjera nga ora 21:00.


















