FB
Liderët e Bashkimit Evropian nëpërmjet të konkluzave kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian gjithashtu kanë bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
‘’Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u bënë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse’’,thuhet në konkluzat e miratuara të enjten vonë, në përfundim të ditës së parë të samitit të Bashkimit Evropian, raporton RTK.
Presidentët dhe kryeministrat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë darkës kanë trajtuar çështjen e dialogut. Për rezultatet e takimit të Ohrit atyre u është drejtuar Josef Borell shefi idiplomacisë evropiane.
Theksi i diskutimeve është fokusuar në domosdoshmërinë e zbatimit të secilës pikë të marrëveshjes nga të dyja palët.