Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë priti në takim ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.LDK-ja pas takimit me Lajçakun: Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kurtit
Përmes një komunikate për media, LDK-ja ka bërë të ditur se gjatë takimit u bisedua për ecurinë e procesit dialogues, me theks të veçantë për propozimin evropian në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.
“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, thuhet në komunikatë.
LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”.
“Në takim, kryetari Abdixhiku i kërkoi z. Lajçak sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”, thuhet në komunikatë.