F.B.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka bërë të ditur se ka larguar nga tregu qumështi ‘’ Perfetto’’ 2.8% që ka datë skadence 20.08.2023.
Sipas AUV-it produkti me origjinë nga Maqedonia e Veriut nuk i plotëson kriteret ligjore për konsum.
Sasi e gjetur në disa markete sipas tyre është asgjësuar menjëherë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes trupave inspektuese veterinare ka gjetur se: produkti qumësht i brendit ‘’ Perfetto’’ 2.8% me origjinë nga Maqedonia Veriore i distribuuar në tregun e Kosovës nga Atlantik Group që mban datë kadencë 20.08.2023, nuk i plotëson kriteret ligjore për konsum. Pas hapjes së disa mostrave është vërejtur se qumështi ka ndryshuar vetitë organoleptike, ka koaguluar shihen dromcat ( ka filluar prishja)”, njofton AUV.
AUV bën me dije se sasia e gjetur në disa markete është asgjësuar menjëherë.
“Në anën tjetër është urdhëruar distributori të bëj tërheqjen e produktit nga të gjitha pikat shitëse, në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kërkuar nga qytetarët që hasin në këtë produkt të lajmërojnë dhe nëse i kanë blerë t’i kthejnë në pikat shitëse.