F.B.
Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës, në shoqëri të zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti, i cili u prit nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tij, ka parë nga afër renovimet që janë bërë në zyrat e këtij institucioni sportiv në “Shtëpinë e Sportit” në fillim të këtij viti me mbështetje të MKRS-së, dhe pati rastin të bashkëbisedojë edhe me stafin e këtij institucioni.
“I urova për punën, angazhimin dhe sukseset e deritanishme” tha kryeministri pas përfundimit të vizitës. Ai u shpreh mirënjohës për punën sistematike që po bëhet në Komitetin Olimpik të Kosovës, dhe me besim se tash e tutje do të shënojmë edhe më shumë suksese nga bashkëpunimi ndërinstitucional, duke konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Qeverisë në procesin e aplikimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, njofton kryeministria.
Presidenti i KOK, Ismet Krasniqi, falënderoi kryeministrin dhe zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, për vizitën e sotme, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme edhe për faktin që ndodhi pikërisht para vendimet që pritet të merret më 8 shtator për vendin mikpritës të Lojërave Mesdhetare 2030. Ai gjithashtu e falënderoi kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe për përkrahjen që po i jep sportit, teksa u shpreh me shpresë që së shpejti do të festojmë së bashku kandidaturën e suksesshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030.