Kryeministri Albin Kurti sërish i ka quajtur të përkohshme masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Kreu i Qeverisë u shpreh se këto masa janë të padrejta.
Nga Podujeva, ai ka thënë se disa masa edhe kanë filluar të zbatohen, duke përmendur anulimin e vizitave.
Kurti deklaroi se janë paralajmëruar edhe sanksione të tjera nga Bashkimi Evropian, por sipas tij aktualisht Kosova i ka të ngujuara miliona kredi dhe grante, që duhet të kalojnë nëpërmjet Kuvendit.
Ai deklaroi të hënën se rreth 149 milionë euro janë të bllokuara.
“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa edhe janë zbatuar disa prej tyre, ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe’, sidomos në Gjakovë, ku e kishim të planifikuar, u pat anulua, bëhet fjalë edhe për vizita e masa të përkohshme, të cilat për bindjen time janë të padrejta. Ajo që ne duhet të bëjmë është që në Kuvend, me 2/3 e deputetëve, t’i kalojmë ato kredi dhe grante që kanë ngelur të ngujuara dhe s’po mund t’i gëzojnë ekonomia e Kosova, rreth 149 milionë euro. Kredi dhe grante që pa 2/3 nuk po kalojnë. Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual, të cilin do të mundë ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti, raporton EO.