Projektligji që do ta rriste pagën minimale në Kosovë pas 12 vjetësh, s’është dërguar ende për lexim të dytë në Kuvend. Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Armend Muja, s’ka kthyer përgjigje kur është pyetur se kur do të procedohet për shqyrtim të dytë projektligji. Nga opozita thonë se mos veprimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale, po e përshpejton procesin e ikjes së qytetarëve nga vendi.
Qeveria po e zvarrit dërgimin e Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, për lexim të dytë. Ky Projektligj është miratuar në lexim të parë qysh në qershor të vitit të kaluar dhe parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Prej atëherë, ekzekutivi s’është se ka bërë më diçka në këtë drejtim.
Për të hyrë në fuqi, projektligj duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë dhe të nënshkruhet nga Presidentja Vjosa Osmani.
Gazeta Express ka pyetur Kryetarin e këtij komisioni, Armend Mujën, se kur do të procedohet projektligji për lexim të dytë në Kuvend, por i njëjti s’u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.
Përgjigje s’kanë kthyer as nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës kur janë pyetur lidhur me arsyet, ani pse sipas Rregullores kjo do të duhej të ndodhte brenda 2-3 muajsh pasi Projektligji ishte miratuar në lexim të parë.