Vetëm disa ditë pasi qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë, ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, takoi emisarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, njoftoi se të dy diplomatët, shkëmbyen mendime mbi situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Ata shkëmbyen mendime mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në dritën e vizitave të fundit të diplomatës Fajon në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë”, shkruan në këtë njoftim.
Fajon e cila ishte edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, më 16 janar, tani në funksionin e ri si Zëvëndëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, gjatë qëndrimit në Prishtinë, u prit në takime nga krerët e shtetit kosovar.