Komisoni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën do të fillojë numërimin e votave të atyre që e shfrytëzuan këtë të drejtë në vendvotimet në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se sot kanë diskutuar për mundësinë e numërimit të këtyre mbi 15 mijë votave nga e mërkura.
“Gjatë ditës së sotme kemi diskutuar për mundësinë që të mërkurën të fillojmë me numërimin vetëm të atyre votave që u takojnë përfaqësive diplomatike në të cilat është mbajtur procesi zgjedhor më 8 shkurt 2025. Pra, bëhet fjalë për 15,324 fletvotime”, tha ai në një konferencë për media.
“Nga votimi jashtë Kosovës, kemi, po themi kushtimisht, dy lloje të votave nga dy procese që janë mbajtur: votimi nëpër përfaqësi diplomatike dhe votimi përmes postës”, tha paraprakisht zëdhënësi i KQZ-së.
Për të qenë “më të saktë për kohën” rreth nisjes së numërimit të këtyre votave, ai tha se “do të jemi në kontakt”.