F.B.
Kosova U19 ka mposhtur sot Ukrainën në kuadër të turneut kualifikues për Euro 2024.
Ndeshja është mbyllur me rezultat 4:0.
Kosova shkoi në pushimin e pjesës së parë me epërsi 1-0, me golin e shënuar nga Elvir Gashijani në minutën e 21. Eliot Bujupi dyfishoi rezultatin në minutën e 64-të, ndërsa Gashijani shënoi golin e dytë personal në minutën e 79-të. Fitoren e Kosovës e vulosi Elmedin Rama në 90+2, ku shënoi për rezultatin përfundimtar 4-0.
Ndaj këtij suksesi nuk ka qëndruar indiferent kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Në prag të ndeshjes Zvicër-Kosovë në Bazel, një lajm i mirë na vjen nga Malta, atje ku Kombëtarja U19 ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në kuadër të turneut kualifikues për Euro 2024.
Dardanët e rinj mposhtën Ukrainën, me rezultat bindës 4:0, duke bërë një hap të madh drejt kualifikimit tutje.
Përgëzoj futbollistët dhe stafin në krye me përzgjedhësin Adil Maliqi për këtë fitore e paraqitje mbresëlënëse dhe i inkurajoj që të përkushtohen maksimalisht edhe në ndeshjen e fundit ndaj Maltës”, ka shkruar ai.