Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se familja Jashari e ka zbatuar parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Teksa citoi fjalët e Hamzë Jashari, ai shtoi se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz të frymëzohet aty ku u ngjiz liria.
Në seancën solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Konjufca shtoi se rënia heroike e Jasharëve i dha jetë UÇK-së.
Konjufca: Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të krenarisë.
“Sakrifica madhështore e Jasharëve, na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë. Jasharët, në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të gjithë familjarët tjerë, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip, rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri. Liria është si ajri, por ajo nuk rrin pezull. Ajo ngrihet mbi themele të forta, kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. Siç thoshte Hamza “Ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë, guri peshon në tokën e vetë’. Themelet e lirisë tonë rrin të patundura mbi gjakun e dëshmorëve, Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve”, deklaroi Konjufca.